Disidenti
Lajme

Kurti takohet me Totajn e PDK-së, diskutohet për rrugën Prizren-Tetovë

0Shares

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Komunën e Prizrenit ku është pritur në takim nga kryetari Shaqir Totaj. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në qendër të diskutimit ishte projekti infrastrukturor që lidhë Prizrenin me Tetovën.

Në njoftim thuhet se Kurti e ka cilësuar këtë takim si të përzemërt ku u diskutuan edhe dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

“Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit. Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024”, thuhet në njoftim.

Kurti ka thënë se kostoja e përgjithshme do të jetë rreth 200 milionë euro.

“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se nuk do të mungojë gatishmëria që bashkëpunimi të vazhdojë.

“Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmitë tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale” ka thënë Totaj, njofton Qeveria e Kosovës.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net