Një grua nga Prizreni ka raportuar në polici se gjatë muajit mars të këtij viti, është dhunuar seksualisht nga një burrë. Në kohën kur i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj, ajo ka qenë në muajin e katërt të shtatzënisë.
35-vjeçarja nga Prizreni, më 3 maj ka shkuar në polici bashkë me burrin e saj, për të raportuar rastin që i ka ndodhur në muajin mars të këtij viti.
Express mëson se ajo ka deklaruar se derisa ishte duke pushuar në një motel, në dhomën e saj ka hyrë një person i moshës 44-vjeçare, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.
Burime të gazetës brenda policisë bëjnë të ditur se në kohën kur ka ndodhur ky rast, 35-vjeçarja ka qenë në muajin e katërt të shtatzënisë, ndërkaq bashkëshortit nuk i ka treguar deri më 2 maj.
“Lidhur me rastin është konsultuar me prokurorin kujdestar i krimeve të rënda dhe me urdhër të tij hapet procedurë hetimore për veprën penale Dhunim, ndërsa i dyshuari të intervistohet në lidhje me këtë rast. Rasti është nën hetime”, ka bërë të ditur ky burim.
Ndryshe, për këtë rast ka njoftuar edhe policia përmes raportit 24 orësh.