“Prill o im vëlla, me jep tri ditë hua, ta ngrij plakën me gjithçka ka”.
Sigurisht e keni dëgjuar ndonjërën nga versionet e gojëdhënës që na kujtohet çdo fundmarsi.
Plakat e marsit ose të prillit është shprehje e besimeve popullore që lidhen me tri ditët e ftohta në fund të marsit ose në fillim të prillit.
Edhe në ditët e sotme shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.
Gojëdhëna thotë se një herë e një kohë disa plaka u ngjitën në mal. Ishin shtatë plaka ato që morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë.
Duke biseduar me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe marsi t’i merrte të keqen.
Duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: “Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh’…fsha dimrin”.
Të tjerat thirrën me të madhe: “Lamtumirë Dimër, Vafsh në Djall!”.
Në këtë moment, marsi tha: “Prill o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka.”
Dimri vendosi të kthehej sërish për t’i ngrirë plakat duke ua kujtuar që ishte më i fuqishëm se ato, dhe që duhej respektuar.
Menjëherë pas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plakat ngrinë me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb.
Mali i Tomorrit është vendi ku besohet se plakat u ngrinë me bagëtitë, ndërsa sipas gojëdhënave në atë vend sot gjendet një gur në formën e një plake, ku edhe sot e kësaj dite buron ujë, që thuhet se janë “lotët e plakës”./ ObserverKult