Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, para Parlamentit Europian ka thënë se Kosova do të ketë mbështetjen e plotë dhe se janë të gatshëm të ndihmojnë në çdo aspekt, përfshirë edhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës.
Për “non-papers” ajo tha se s’duhet kushtuar vëmendje meqë, sipas saj, janë për të përhapur frikë te qytetarët e Kosovës.
“Është mirë që jeni mirëpritur nga të gjitha institucionet e BE-së. Sigurisht që ka pritje të mëdha nga kryeministri i Kosovës që do ta mbështesni aktivisht dialogun që do lehtësohet nga Miroslav Lajçak. E di që ka një lloj ngurrimi apo rezervimi nga ana juaj dhe kjo mund të jetë e kuptueshme, por duam t’iu ofrojmë mbështetje në pjesëmarrje në këtë dialog politik për aq sa mundemi”.
“Jemi të gatshëm t’iu mbështesim në çdo gjë që iu duhet dhe qëndrojmë në krahun e Kosovës për garantimin e shtetësisë së saj. Nuk iu kushtojmë aq shumë vëmendje këtyre “non-papers”. E dimë se çka ka prapa tyre për të përhapur frikën dhe për të provokuar”.
Ajo kritikoi pozitën dhe akuzoi atë se para zgjedhjes së presidentes së Kosovës pati disa “përpjekje enigmatike”, për të cilat tha se i kanë përjetuar si irrituese, por se shpresojnë që në muajt e ardhshëm do shkohet në drejtim tjetër.

