Disidenti
Lajme

Ekskluzive: Fotografi të veturës së sulmuar në veri, ku mbeti një polic i plagosur

0Shares

Një zyrtar i Policisë së Kosovës i rreth të dyzetave ka mbetur i plagosur mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës pas një sulmi të armatosur. Sulmi i veturës së policisë së Kosovës, nga i cili pësoi pjesëtari, ka ndodhur rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit. Gazeta Nacionale ka siguruar ekskluzivisht pamje të veturës së policisë që ishte cak i sulmit.

Në veturën e policisë, sipas fotografive të siguruara nga Nacionale, shihen vrima të cilat janë bërë nga sulmi që iu bë mbrëmë zyrtarëve policorë nga persona të armatosur.

Sipas policisë, sulmi ka ndodhur nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit “Audi”, ngjyrë hiri, me targa KM.

Polici i plagosur, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Të premten, drejtoresha e këtij spitali i dha hollësi Nacionales për gjendjen e policit.

Sipas saj, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është goditur me një plumb në kraharor. Plumbin e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici duhet tranferuar për në QKUK për ndërhyrje mjekësore.

“Mbrëmë ka ardhë polici i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik. E ka plumbin në kraharor- në shpatull. Pritet me u transferu në Prishtinë për intervenim. Përndryshe gjendja e tij është e mirë- stabile”- i tha Nacionales drejtoresha e spitalit.

Tutje edhe mjeku i QKUK-së ka konfirmuar se polici është futur në sallën e operacionit.

Polici është hospitalizuar në QKUK- saktësisht në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.

Drejtori i kësaj klinikë Nazmi Kolgeci i konfirmoi Nacionales për procesin e intervenimit.

“Po veç jemi duke hy në sallë me të për operim. Për 2-3 minuta hyjmë në sallë”, tha Kolgeci për Nacionalen.

Çka tha Policia për sulmin?

Policia njoftoi se njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje për t’i kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës e shtoi praninë e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Kujtojmë se pas vendosjes së policëve në Lagjen e Boshnjakëve, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar, duke ngritur edhe pretendime të çuditshme dhe duke shprehur fjalë nxitëse.

Petkoviqi ka deklaruar se Serbia “do ta shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë dhe, sipas tij, ky veprim do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Petkoviqi propagandoi se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë pushtuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut, ka raportuar Kosovo-Online.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të enjtën në orët e vona, në një intervistë për RTK-në, ka folur rreth numrit në rritje të policëve në Mitrovicë të Veriut. Siç ka thënë ai, ndër të tjera, ky numër është rritur në disa vende të Mitrovicës së Veriut, ndërsa synim të vetëm e ka rritjen e sigurisë për të gjithë banorët e asaj ane pa dallim.

E gjithë këto incidente në pjesën veriore, pra në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e kundërshton mbajtjen e tyre./Nacionale.com/

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net