Disidenti
Lajme

Flet xhaxhai i Artan Zuberit, që vdiq në Burgun e Sremska Mitrovicës në Serbi – ka dëshmi që është torturuar nga gardianët e burgut

0Shares

Xhaxhai i të riut, Artan Zuberi – 28 vjeç, i cili u raportua i vdekur në burgun e Sremska Mitrovica në Serbi, Nagip Zuberi ka folur për momentin e arrestimit të nipit të tij si dhe dyshimet e tyre për vdekjen.

Në një prononcim, ai ka treguar se Artani ra në duart e policisë serbe në kufirin Kosovë – Serbi në Bërnjak derisa ishte duke u kthyer për në Norvegji, ku ishte duke jetuar me familjen e tij.

Ai tha se arsyet e arrestimit të tij nga policia serbe ishin tatuazhet e tij nëpër trup me flamurin kombëtar dhe një foto me armë kallashnikov në veturën që po voziste.

“Arrestimi i Artanit ka ndodhur para një vit e dy muaj, përafërsisht. E familjarët e kanë marr vesh arrestimin e tij diku pas një jave. Pasi e kanë marr vesh që është arrestuar nga policia serbe dhe është në burg për shkak të automjetit, ku e kishte të fotografinë e një arme kallashnikov, familjarët menjëherë kanë shkuar dhe kanë angazhuar avokat nga Norvegjia. Edukatorja e tij sociale që është që nga fëmijëria, ka intervenuar përmes ambasadës për ta transferuar këndej. Prindërit kishin shkuar në Beograd, kur atij veç iu kish shqiptu dënimi si terrorist shqiptar, për tri vite”, ka thënë ai.

Nagip Zuberi ka thënë se djali i vëllait të tij, Artani ka vdekur në këtë burg pas torturave që i janë bërë gjatë vuajtjes së dënimit të tij si dhe pas zjarrit që kishte përfshirë burgun më 21 nëntor 2022.

Nagipi tregoi se kur ka rënë zjarri në këtë burg, tetë orë dyert e pavijonit kanë qenë të mbyllura. Kjo sipas tij është bërë që ai të gjejë vdekjen përmes ngulfatjes nga tymi dhe zjarri.

“Më 21 nëntor paska ndodh djegia e burgut në pavijonin numër 2. Ne e kemi lajmëru rastin në Norvegji, pasi Artani është shtetas norvegjez, ka lindur atje. Artani ka pas tatuazh nëpër trup, kallash edhe në kerr po ashtu. Artani ka ardh nga Serbia për në Kosovë. Në kthim ai është kapur nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi. Artani ka ndërruar jetë më 21 nëntor. Ai e ka dashur vendin e vet. E ka vizatuar flamurin sipas dëshirës së vet. Si djemtë e rinj që bëjnë tatuazhe. Për mendimin tim ka pas maltretime të mëdha. E fundit ka qenë kur e kanë djeg burgun, e kanë mshel pavijonin numër dy për tetë orë. Aty ka pas dhe të burgosur të tjerë, jo vetëm Artani. Nëpër gazeta, serbët e jepnin lajmin se kinse katër gardianë janë lënduar, e për të vdekur nuk kanë raportuar që ka”, ka thënë xhaxhai i tij.

Po ashtu ai tregoi se gjatë vizitave në burg, e kanë lejuar vetëm nënën e Artanit, e cila në vizitën e fundit kishte vërejtur një gjendje hutie te ai.

“Vetëm nëna e tij e ka vizituar në burg të Sremska Mitrovicës në Serbi. Neve na i patën ndaluar vizitat. Edhe nënës së vet dhe babës ia patën ndalu vizitat nja dy-tri herë, me arsyetimin ‘jo nuk është këtu, jo nuk gjendet këtu’. E qisi rrena e manipulime qysh bëjnë ata me politikën e tyre. Kur e kish pa nana e vet për herë të fundit ka qenë shumë i hutuar, sa që shikonte majtas-djathtas, pasi e kanë torturu shumë. E kanë rreh shumë. Nana e vet e ka pyet çka ke, e ai veç ka kqyr anash”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket trupit të pajetë, Nagipi thotë se e kanë marrë të martën (06.12.2022) rreth orës 17:00 në spitalin e Novi Sadit në Serbi.

“Trupin e kemi marr të martën në orën 17:00 nga spitali i Novi Sadit nga morgu. Nuk e kemi pa trupin, pasi na e kanë dhënë në arkivol të mbyllur. Vëllai s’ka mundur me çel, se tha ‘mërzitem më shumë rrugës’. Trupi i pajetë i Artanit do t’i dorëzohet autoriteteve norvegjeze. Varrimi i tij do të bëhet në Norvegji. Artani është 28 vjeç, i martuar dhe i ka dy fëmijë. Serbët ia kanë bërë obduksionin dhe sipas tyre ka dalë si vdekje normale”, tha ai.

Nagipi gjithashtu tha se vëllai i tij (babai i Artanit) posedon dhe një audio incizim të një siriani (gjithashtu i burgosur), i cili, sipas tij, ka treguar për torturat që ia kanë bërë gardianët serbë Artanit në burg.

“Edhe një incizim e ka vëllai të një siriani, i cili i ka treguar se si e kanë torturuar Artanin në burg. Sa që siç kish thënë siriani, ai s’ka guxu as me u la, pasi në momentin që ia kanë pa tatuazhet e kanë rreh”, tha ndër të tjera Nagip Zuberi.

Ndryshe, MPJD në një deklaratë për Telegrafin bën të ditur se kjo ministri të premten më 2 dhjetor të këtij viti Misionit i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd ka kontaktuar me autoritetet serbe, respektivisht me Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për ta konfirmuar rastin.

Ndërsa, për këtë kanë reaguar edhe nga KMDLNJ, duke cituar mediat norvegjeze, se në rrethana të pasqaruara një shtetas norvegjez, shqiptar nga Peja, ka vdekur në Burgun e Sremska Mitrovicës në Serbi.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net