Kosova dhe Serbia siç duket nuk janë as afër një marrëveshje përfundimtare, e cila do të përfundonte me njohje reciproke.
Është vet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili e ka ripërsëritur disa herë se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Përveç kësaj, ai dhe politikanët tjerë serbë, në vazhdimësi janë duke kërcënuar Kosovën edhe me luftë.
Kur shihen deklaratat e Serbisë dhe kërcënimi ndaj Kosovës, atëherë shtrohet pyetja se sa larg jemi nga një marrëveshje me njohje reciproke?
Në lidhje me këtë çështje, profesori dhe analisti politik, Sulejman Mehazi thotë se, faktet deklarative të Serbisë thonë që nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare.
Sipas tij, në takimin e radhës në Bruksel, Serbia nuk do të pajtohet me planin franko-gjerman.
“Edhe pse para takimit të ardhshëm në Bruksel, Kosovë-Serbi, thuhet se do ketë një farë marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, por nuk është ashtu, për shkak se faktet deklarative politike serbe thonë të kundërtën se jo që nuk do ketë marrëveshje përfundimtare, po kurrë Serbia nuk do ta njohë Kosovën, këto bindje serbe të prapështa ndaj Kosovës na japin të drejtë të themi se në takimin e ardhshëm në Bruksen jo që do stabilizohet situata, jo që do ketë marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe më shumë do destabilizohet situata, dhe se inatet politike serbe-kosovare dhe më do shtohen, pala kosovare do pajtohet me idenë politike franko-gjermane, Serbia nuk do pajtohet, pala serbe e ka për detyrë të përkrahë kushtetutën serbe me Kosovën brenda saj, pala kosovare do jete e detyruar të mbrojë kushtetutës e saj pa asociacionet serbe”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.
Ai shton se pas takimit të radhës mund të ketë edhe më shumë elektrizim të situatës politike në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duke parë principet e hekurta të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ndaj sovranitetit të plotë të Kosovës, poashtu duke parë edhe deklaratat millosheviqiane serbe me rastin e njohjes së Kosovës detyrohemi të themi se jo që nuk do ketë marrëveshje përfundimtare, por pas takimit dhe më shumë do elektrizohet situata politike në mes Kosovës dhe Serbisë”, shton ai.
“Siç vërehet takimet e fundit në Bruksel janë bërë jo për t’u marrë vesh, por për t’u mos u marrë vesh në mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit”, thotë Mehazi.
Në fund, ai shton se, takimi i rradhës Kosovë-Serbi në Bruksel, do jetë një cirk politik e asgjë më shumë.