Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe sot në Koshare për nder të betejes së lavdishme të para 22 viteve ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.
Ajo ka përmendur Brigadën 138 të Agim Ramadanit, mirëpo jo Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në kuadër të së cilës ishte edhe kjo brigadë.
Kjo në fakt nuk është as hera e parë që Osmani e bën një veprim të tillë, pasi që edhe në shumë fjalime publike ajo kishte injoruar tërësisht përmendjen e UÇK-së.
Sidoqoftë kjo nuk ka kaluar pa u përmendur nga komentuesit të cilët i kanë kërkuar Osmanit që ta pranojë realitetin dhe mos ta injorojë UÇK-në.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.
Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.
Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.
Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.
Kësisoj Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.
Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!
Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!
Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!
Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!
Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tone.