Moderatori Ridvan Berisha e ka mbyllur edicionin e emisionit e tij “Debat” të martën, me një mesazh drejtuar Albin Kurtit, kryeministrit të ri të Kosovës.
Berisha, një kritik i Kurtit që nga kohët kur Lëvizja Vetëvendosje ishte subjekt opozitar, ka deklaruar se nuk do ta thërras kreun e ri të qeverisë për ta intervistuar në emisionin e tij.
Në përmbyllje të edicionit të së martës të emisionit “Debat”, moderatori i RTK-së ka thënë se nuk është oportunist dhe si rrjedhojë nuk dëshiron ta japë këtë përshtypje me një ftesë të mundshme drejtuar Kurtit. Ka thënë se Kurti mund ta njoftojë atë nëse ka dëshirë të intervistohet në “Debat”.
“Nesër nuk do të shihemi nga kjo studio, e as pasnesër. Në fakt, jo pse kështu ka vendosur menaxhmenti im, por sepse nesër dhe pasnesër kemi futboll. Ndoshta vendos ekipi i Kurtit, por unë nuk e thërras z. Kurti që të jetë në këtë studio sepse ftesa mund të jap leksionin edhe të oportunizmit, e ekipi i tij e di fare mirë këtë punë. Po deshën të më njoftojnë e dinë numrin tim, unë i pres në studio”, ka thënë Berisha.
Emisioni “Debat”, i udhëhequr nga Berisha, transmetohet gjatë ditëve të javës në kohë qendrore në transmetuesin publik të Kosovës. Në të kaluarën, në këtë emision janë paraqitur liderët më të lartë institucional të vendit.
Ridvan Berisha, nga Lëvizja Vetëvendosje është etiketuar si gazetar i afërt me pushtetet e kaluara.
Kësisoj, Vetëvendosje tentonte të dëshmonte lidhjet Berishës dhe Kekës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Këto veprime të LVV-së së Kurtit, Berisha i kishte cilësuar “linçime publike” ndaj tij.