Thuhet se 5500 viza pune në vit ka vënë në dispozicion Gjermania për kosovarët që duan të punojnë në Gjermani. Kjo përbën një të pestën e vizave të parashikuara në kuadër të kontingjentit të rregullores së Ballkanit Perëndimor.
E gjitha kjo bëhet e ditur në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje me shkrim të grupit parlamentar të liberalëve (FDP) në Bundestag. Për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën janë parashikuar nga 4750 viza pune në vit, pra nga 19 për qind për secilin vend. Ndërsa kontingjenti i rezervuar për Serbinë është pak më i ulët, rreth 4250 (17 për qind), e për Malin e Zi janë parashikuar 1000 viza pune, rreth 4 për qind e kontingjentit.
Ndërkohë qeveria gjermane e ka përcaktuar kontingjentin total të vizave deri në 25 mijë viza pune në vit. Këtu përfshihen vetëm vizat, sipas Rregullores se Ballkanit Perëndimor, e cila është rinovuar më 1.01.2021 dhe vlen deri në vitin 2023. Ndarja është bërë në bazë të disa kritereve, të cilat sipas përgjigjes së qeverisë gjermane, janë: numri i popullsisë, numri i vizave të dhëna më 2018 dhe 2019 dhe numri i kërkesave për vizë.
Shumë pak viza gjatë pandemisë
Numri i vizave në vitin 2020 nuk është marrë parasysh, sepse ka qenë tepër i ulët. Kështu, ndërsa në vitet 2018 dhe 2019 Rregullorja e Ballkanit Perëndimor solli në Gjermani përkatësisht nga rreth 21000 dhe 27000 fuqi punëtore, në vitin 2020 numri i punëtorëve të ardhur ra në 5188, pjesa dërrmuese e të cilëve, 4693, kishte ardhur në tremujorin e parë të 2020, pra, para se të shpallej pandemia dhe të mbylleshin rrugët.
Dy mocione në Bundestag
Nga fundi i shkurtit 2021, liberalët dorëzuan në parlamentin gjerman një mocion për përshpejtimin e procedurës së dhënies së vizave dhe zgjatjen e Rregullores së Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025. Në të njëjtën kohë, në Bundestag u debatua mocioni i partisë djathtiste Alternativa për Gjermaninë, AfD, e cila kërkoi anulimin e Rregullores së Ballkanit Perëndimor me argumentin e krizës ekonomike dhe papunësisë së lartë të shkaktuar nga pandemia.
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u mundëson shtetasve të Ballkanit Perëndimor të punojnë në Gjermani edhe pa pasur një kualifikim të njohur zyrtarisht. Kusht është një kontratë pune në Gjermani. Deri tani, prej vitit 2016 e deri në vitin 2020 në këtë mënyrë kanë ardhur në Gjermani afro 100.000 emigrantë, ndër ta mbi 13 200 nga Shqipëria, mbi 21 400 nga Kosova, ndërsa nga Maqedonia e Veriut 20 881.